2025, shërbimet mbajnë peshën e punësimit, bujqësia dhe industria me rënie
Tregu i punës në Shqipëri shënoi përmirësim në vitin 2025, por sektorët e bujqësisë dhe industrisë vijuan rënien e punësimit.
Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15–64 vjeç arriti në 75.9 për qind në fund të vitit 2025, duke u rritur me 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Norma e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 8.3 për qind, duke shënuar një përmirësim prej 0.5 pikë përqindjeje në krahasim me fundin e vitit 2024. Megjithatë, në krahasim me tremujorin paraardhës u regjistrua një rritje e lehtë prej 0.2 pikë përqindjeje, e lidhur kryesisht me luhatjet sezonale të dimrit.
Rritje e moderuar e punësimit
Shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart arriti në 58.5 për qind në fund të vitit 2025, me një rritje vjetore prej 0.9 pikë përqindjeje.
Në krahasim me tremujorin e mëparshëm, punësimi shënoi një tkurrje të lehtë prej 0.3 pikë përqindjeje, duke reflektuar stabilizimin e tregut pas periudhës së aktivitetit më të lartë ekonomik gjatë verës dhe fillimit të vjeshtës.
Shërbimet motori i tregut të punës
Sektori i shërbimeve mbetet kontribuesi kryesor në punësim, duke regjistruar një rritje vjetore prej 5.6 për qind. Ky zhvillim lidhet kryesisht me zgjerimin e aktivitetit në tregti, turizëm dhe teknologji.
Në të kundërt, bujqësia ka shënuar rënien më të fortë të punësimit, me një tkurrje prej 9.7 për qind në terma vjetorë. Ky trend reflekton largimin gradual të punonjësve nga aktivitetet bujqësore.
Megjithatë, gjatë tremujorit të fundit të vitit u regjistrua një rritje e lehtë prej 1.2 për qind në këtë sektor, që lidhet me aktivitetet sezonale të vjeljeve.
Edhe sektori i industrisë vijoi trendin rënës të punësimit, me një ulje prej 0.7 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2024.